(Foto-arkiv) Sot ka dështuar të mbahet mbledhja e Këshillit Kombëtar Shqiptar, pasi seanca e parë nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së ku

(Foto-arkiv)
Sot ka dështuar të mbahet mbledhja e Këshillit Kombëtar Shqiptar, pasi seanca e parë nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së kuorumit.
Sipas informacioneve që ka siguruar FOLonline , në këtë seancë nuk janë paraqitur përfaqësuesit e LPD-së dhe të PD-së, çka e ka bërë të pamundur fillimin e punimeve dhe marrjen e vendimeve të parapara në rendin e ditës. Burime brenda KKSH-së bëjnë të ditur se mungesa e kuorumit lidhet me dilemat dhe mospajtimet rreth dhënies së pëlqimit për emërimin e drejtorit të Shkollës së Mesme Teknike në Preshevë, çështje kjo që ka shkaktuar tensione politike brenda institucionit.
Në përbërjen aktuale 15-anëtarëshe të KKSH-së, PVD ka 5 anëtarë, LPD dhe PD nga 2 anëtarë secila, si dhe PDSH 1 anëtar. Këto subjekte përbëjnë koalicionin qeverisës brenda Këshillit. Në anën tjetër, APN ka 5 vende dhe ndodhet në opozitë.
Kjo situatë ka hapur dilema serioze nëse shumica qeverisëse brenda KKSH-së është vënë në pikëpyetje apo edhe rrezikon të humbasë kontrollin institucional. Mungesa e konsensusit rreth vendimeve kyçe po rrit rrezikun e bllokimit të punës së Këshillit.
Duhet theksuar se mandati i rregullt i Këshillit Kombëtar Shqiptar skadon në vjeshtë, kur pritet të mbahen zgjedhjet e rregullta për këshillat kombëtarë në Serbi. Deri atëherë, KKSH-ja ka ende përgjegjësi të rëndësishme për përmbushjen e planeve dhe obligimeve të saj.
Nëse kjo situatë vazhdon dhe nëse shumica qeverisëse humb funksionalitetin, ekziston rreziku real që një pjesë e projekteve dhe aktiviteteve të planifikuara për këtë vit të mos realizohen, me pasoja të drejtpërdrejta për punën e institucionit dhe për interesat e komunitetit shqiptar.
COMMENTS