HomeSport

Po vjen edhe një finale për shqiptarët: Të shtunën Tërnoci në Bosilegrad për vend të parë

Ndeshje “për jetë a vdekje” e pret KF Tërnocin këtë të shtunë në Bosilegrad, qytet kufitar me Bullgarinë, ku çdo gjë do të vendoset në 90 minuta q

Fjala e redaktorit: Emërimi i Ragmi Mustafit- mes kapacitetit profesional dhe sfidës së perceptimit politik
Pajaziti: Varfëria tek familjet shqiptare në Luginë të Preshevës, prodhim i politikanëve karrieristë
NË PRESHEVË MBAHET MANIFESTIMI “NËNTORËT E LAVDISË…

Ndeshje “për jetë a vdekje” e pret KF Tërnocin këtë të shtunë në Bosilegrad, qytet kufitar me Bullgarinë, ku çdo gjë do të vendoset në 90 minuta që vlejnë sa një sezon i tërë.

Ky është pa dyshim derbi i kampionatit, pasi diferenca në tabelë mes nikoqirëve të Mlladostit dhe tërnocasve është vetëm një pikë. Një fitore për cilëndo skuadër hap rrugën drejt titullit kampion dhe njëkohësisht drejt ngritjes në një ligë më të lartë, duke e bërë këtë përballje një finale të parakohshme.

Por kjo ndeshje nuk është vetëm futboll. Ajo rikthen emocione të forta dhe kujtime ende të freskëta për ekipin nga Tërnoci. Pikërisht në këtë qytet, vitin e kaluar, KF Tërnoci u përball me padrejtësi në fushë dhe dhunë ndaj futbollistëve. Ende kujtohet goditja ndaj futbollistit Veton Zeqiri nga një polic serb në vetë terrenin e lojës, si dhe shoqërimi i tërë ekipit në polici, ngjarje që tronditën opinionin sportiv dhe jo vetëm.

Në pjesën e parë të kampionatit, ekipi nga Bosilegradi nuk kishte udhëtuar fare në Tërnoc, përkundër faktit se ishin plotësuar të gjitha kushtet dhe kërkesat për organizimin e ndeshjes. Si rrjedhojë, ajo sfidë ishte regjistruar me rezultat zyrtar 3:0 në favor të Tërnocit.

Ndërkohë, siç merr vesh FOLonline, për ndeshjen e së shtunës, ekspedita e KF Tërnocit do të udhëtojë drejt Bosilegradit nën përcjellje të policisë nga Bujanoci. Për shkak të përvojës së hidhur të vitit të kaluar, drejtuesit e klubit kanë refuzuar pritjen e organizuar nga policia e Bosilegradit, duke zgjedhur një qasje më të kujdesshme dhe të kontrolluar.

Në këtë drejtim, edhe kryesia e klubit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me organizimin dhe masat e sigurisë për këtë përballje të rëndësishme. Sipas njoftimit, ndeshja do të zhvillohet të shtunën më 04.04.2026 nga ora 16:00 në Bosilegrad, ndërsa për shkak të rëndësisë së takimit dhe situatave të kaluara, janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë që nga nisja prej stadiumit.

“Të gjithë tifozët që dëshirojnë të udhëtojnë në mënyrë të organizuar me vetura private, do të duhet të paraqiten tek stadiumi i KF Tërnoci para orës 12:00, në mënyrë që të jenë pjesë e konvojit që do të lëvizë nën përcjelljen e policisë dhe forcave të rendit, deri në kthimin nga ndeshja”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, është bërë e ditur se do të ketë kontrolle të rrepta gjatë gjithë organizimit, ndërsa nga të gjithë pjesëmarrësit kërkohet nivel i lartë korrektësie dhe disipline, me qëllim që përkrahja për KF Tërnocin të jetë vetëm sportive dhe e ndershme.

Po ashtu, mbetet ende në pikëpyetje organizimi grupor i udhëtimit të tifozëve “Agallarët” drejt Bosilegradit. Megjithatë, duke pasur parasysh rëndësinë e ndeshjes dhe emocionin që e shoqëron, është e vështirë të imagjinohet kjo përballje pa praninë e publikut shqiptar, jo vetëm nga Tërnoci, por nga e gjithë Lugina.

Pavarësisht të gjitha sfidave organizative dhe kujtimeve të pakëndshme, një gjë është e qartë: KF Tërnoci në këtë ndeshje hyn vetëm me një qëllim, fitoren. Për tre pikë, për krenari dhe për një hap të ri historik drejt titullit.

COMMENTS