Një debat i ri ka shpërthyer ndërmjet Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe Këshillit Kombëtar t

Një debat i ri ka shpërthyer ndërmjet Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe Këshillit Kombëtar të pakicës kombëtare shqiptare (KKSH), lidhur me mosnënshkrimin e marrëveshjes për financimin e projektit “Revista Nacionali”.
Në një njoftim zyrtar, Trupi Koordinues bëri të ditur se kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi, nuk i është përgjigjur katër ftesave për nënshkrimin e kontratës, as për propozimin që të organizohej transporti deri në Beograd për këtë qëllim.
Sipas këtij institucioni, për projektin ishin paraparë 800 mijë dinarë nga buxheti i vitit 2025, por meqë marrëveshja nuk është nënshkruar, fondet do të kthehen në buxhetin e Republikës së Serbisë.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se mungesa e bashkëpunimit nga ana e KKSH-së “pengon drejtpërdrejt realizimin e aktiviteteve për ruajtjen e identitetit kulturor, gjuhësor dhe informativ të shqiptarëve”, duke theksuar se përgjegjësinë për vonesat e projekteve e mban vetë Këshilli Kombëtar.
Reagimi i Enkel Rexhepit: “Flamuri ynë nuk negociohet”
Pas kësaj deklarate, kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi, reagoi publikisht duke e cilësuar qëndrimin e Trupit Koordinues si përpjekje për nënshtrim politik të institucionit që ai drejton.
“Nuk jemi dekor dhe as instrument për lojëra politike,” shkroi Rexhepi, duke shtuar se Trupi Koordinues kishte premtuar rritje të fondeve për KKSH, premtim që nuk është realizuar.
Sipas tij, përfaqësues të këtij institucioni kanë kërkuar nënshkrimin e marrëveshjes për projektin me kusht që nga ambientet e KKSH-së të hiqet flamuri kombëtar shqiptar — kërkesë që ai e cilësoi si të papranueshme.
“Flamuri ynë nuk negociohet, nuk zëvendësohet dhe nuk hiqet kurrë nga institucioni përfaqësues i shqiptarëve,” theksoi Rexhepi, duke shtuar se KKSH-ja ka ndjekur të gjitha procedurat e zakonshme për nënshkrimin e marrëveshjes, ashtu si vitet e kaluara, “pa spektakël politik e mediatik”.
Ai theksoi se Këshilli Kombëtar do të vazhdojë të refuzojë çdo kushtëzim, presion apo tentativë që cenon dinjitetin e përfaqësuesve shqiptarë.
“Bashkëpunimi nënkupton respekt të ndërsjellë, dhe për këtë lloj bashkëpunimi jemi gjithmonë të gatshëm, me këdo,” përfundoi Rexhepi.
COMMENTS