Në mjediset e Galerisë Flori në Prishtina Mall, u hap mbrëmë ekspozita kolektive “Ngjyrat e Luginës”, një ngjarje artistike me domethënie të thell

Në mjediset e Galerisë Flori në Prishtina Mall, u hap mbrëmë ekspozita kolektive “Ngjyrat e Luginës”, një ngjarje artistike me domethënie të thellë kulturore dhe politike për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ngjarja, e organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, mblodhi artdashës, intelektualë dhe personalitete të jetës publike, përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kryetari i KKSH-së, z. Enkel Rexhepi, në një postim pas ekspozitës, e cilësoi këtë mbrëmje si një “ngjarje të veçantë që solli për publikun kryeqytetas krijimtarinë dhe shpirtin artistik të shqiptarëve të Luginës”, duke theksuar se kjo është një thirrje për më shumë vëmendje dhe dashuri ndaj Luginës, përmes ngjyrave që flasin për krenarinë dhe historinë e saj.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti vuri theksin te dimensioni politik dhe njerëzor i ekspozitës, duke deklaruar se:
“Ngjyrat e Luginës, ekspozitë që rrahë me ritmin e ekzistencës dhe nuk mbulohet nga statistikat e padrejtësisë. Në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, shqiptarët jetojnë çdo ditë në përballje me diskriminimin dhe përjashtimin, sidomos me atë që njihet si pasivizim i adresave – një formë e spastrimit të ftohtë etnik.”
Ai u shpreh se Kosova nuk është më vetëm vëzhguese e kësaj padrejtësie, por aktive dhe gjithnjë më e pranishme pranë shqiptarëve të Luginës, duke përçuar një mesazh të fuqishëm politik dhe solidar.
Ekspozita “Ngjyrat e Luginës” është më shumë se një shfaqje artistike, një udhëtim emocional nëpër realitetin dhe ëndrrat e një komuniteti që kërkon të dëgjohet. Me plane që të udhëtojë edhe në kryeqytetet tjera shqiptare, ky cikël ekspozitash synon të forcojë lidhjet kulturore mbarëkombëtare dhe të sjellë Luginën më afër secilit prej nesh.

COMMENTS