Të hënën, më datë 19.01.2026, Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, do të ndajë Mirënjohjeje (post mortem) për Jonuz Musliun,

Të hënën, më datë 19.01.2026, Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, do të ndajë Mirënjohjeje (post mortem) për Jonuz Musliun, në shenjë mirënjohjeje të thellë dhe respekti të veçantë për kontributin e tij të çmuar dhe të pashlyeshëm në jetën institucionale dhe publike, si dhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm në forcimin e funksionimit demokratik të institucioneve.
Jonuz Musliu ishte një personalitet i shquar i historisë së re politike dhe institucionale të Komunës së Bujanocit dhe të Luginës së Preshevës. Ai ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kryetar i Këshillit Politik të UÇPMB-së, si dhe anëtar i delegacionit shqiptar në bisedimet me palën serbe.
Pas përfundimit të konfliktit, ai vazhdoi angazhimin e tij politik dhe institucional si themelues i Lëvizjes për Progres Demokratik (LPD), kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit dhe kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, duke dhënë një kontribut të veçantë në përfaqësimin politik, institucional dhe kombëtar të shqiptarëve.
Veprimtaria, përkushtimi dhe integriteti i lartë qytetar i Jonuz Musliut kanë lënë gjurmë të qëndrueshme në trashëgiminë institucionale, morale dhe historike të Komunës së Bujanocit dhe më gjerë.
Në nderim të jetës dhe veprës së tij, nga 18 deri më 20 janar, do të zhvillohen ditë përkujtimore me moton “Flakadani i pashuar”, si shprehje e mirënjohjes dhe respektit të përhershëm për figurën dhe trashëgiminë e tij.
COMMENTS