Pas shpërbërjes së Parlamentit dhe në prag të shpalljes së zgjedhjeve të reja, ka pushuar edhe mandati i deputetit Shaip Kamberi, i cili ishte edh
Pas shpërbërjes së Parlamentit dhe në prag të shpalljes së zgjedhjeve të reja, ka pushuar edhe mandati i deputetit Shaip Kamberi, i cili ishte edhe shef i Grupit Parlamentar „Lugina e Bashkuar-SDA Sanxhak“.
Me këtë rast, Kamberi ka bërë një rezyme të kësaj legjislature gati dyvjeçare duke ju drejtuar me një postim në Facebook opionit.
Postimi i Kamberit
Të nderuar/a miq/mikesha,
Dje përfundova mandatin si deputet për këtë legjislaturë dyvjeçare, së bashku me kolegët e Grupit tonë Parlamentar.
Ishim vetëm 6 deputetë opozitarë përballë 244 deputetëve të shumicës parlamentare.
Por sado të rëndësishëm, numrat dhe prania nuk janë gjithçka. Edhe po të ishim më shumë në numër, nuk kishte ndryshuar diçka konkrete në politikën dhe në vendimet e kësaj shumice parlamentare të një pushteti autoritar siç është ai i Aleksandër Vuçiqit.
Shumë më e rëndësishme është se çfarë politike ushtron në përfaqësim. Pra, deputetët nga Lugina në Kuvendin e Serbisë marrin kuptim dhe vlerë nga politika që përfaqësojnë dhe ushtrojnë, jo vetëm nga prania ose numri i tyre.
Personalisht jam përpjekur me ushtruar përfaqësimin tim siç kam besuar dhe aq sa kam ditur.
Sigurisht se kam mundur më mirë. E duhet më mirë. Nuk jam i përsosur dhe bëj lëshime, si çdo qenie njerëzore.
Por kam dhënë maksimumin për t’i përfaqësuar denjësisht interesat e qytetarëve që kam përfaqësuar. Interesin e rajonit prej ku jam deleguar.
Kam ngritur tema. Me prioritet ato nga Lugina e Preshevës, por edhe ato që shpërfaqin pushtetin autoritar dhe karakterin hegjemonist të Serbisë së sotme të Aleksandër Vuçiqit.
Një pushtet antipaqe dhe jodemokratik.
Shpërfaqja e diskriminimit shtetëror mbi baza kombëtare të shqiptarëve dhe të shtypjes socio-ekonomike të Luginës së Preshevës, çështja e mohimit të gjenocidit e krimeve të luftës dhe politika shtetërore e glorifikimit të kriminelëve të dënuar, institucionalizimi i gjuhës raciste, aspiratat hegjemoniste rajonale të pushtetit në Serbi, instrumentalizimi i drejtësisë dhe i policisë nga pushteti, thellimi i pabarazive dhe padrejtësive, mungesa e politikave të mira në arsim, shëndetësi, mjedis, politika publike dhe mbrojtje sociale, ishin disa nga temat për të cilat jam shprehur gjatë paraqitjeve të mia.
Do të kisha qenë naiv sikurse të kisha menduar se ky përfaqësim dhe kjo politikë do t’i ndryshonte politikën dhe vendimet e këtij pushteti në Beograd. Se ne do ta demokratizonim Serbinë. Fundja kjo është detyrë para së gjithash e shumicës në vend, ku mund të kontribuojmë, po ku nuk mund të jemi përcaktues.
Por mbetem i bindur se kjo është politika që duhet të ndjekim. Ky është drejtimi drejt së cilit duhet të ecim.
Nuk na duhet të bëhemi pjesë përbërëse dhe partner i këtij lloj pushteti. As sot, as nesër.
Nuk kemi aktualisht në Serbi ndonjë forcë serioze demokratike dhe progresive politike që meriton të bëhemi pjesë përbërëse ose partnere e saj, qoftë direkt në qeveri, qoftë indirekt në parlament me pseudo-opozitarizëm.
Kemi nevojë për përfaqësim dinjitoz dhe të vërtetë opozitar në parlament, që sensibilizon bashkësinë ndërkombëtare dhe që rrit presionin politik e institucional ndaj pushtetit në Beograd për çështjen e Luginës së Preshevës në veçanti dhe për demokracinë në përgjithësi.
Të respektuar/a qytetarë/e,
Qeverisjet e Serbisë në Beograd kanë firmosur 3 marrëveshje për Luginën e Preshevës dhe kanë marrë obligime me prani ndërkombëtare për t’i implementuar ato.
Implementimi i marrëveshjeve për Luginën e Presheës nga Qeveria e nesërme e Serbisë duhet të jenë kërkesa, kushti, synimi dhe qëllimi jonë ndaj Beogradit zyrtar.
Nuk kemi nevojë për poste ministrash e sekretaresh për përfitime personale në pushtetin e Vuçiqit dhe të opozitës së sotme në Serbi që mund të bëhet pushtet pas zgjedhjeve të 3 prillit, por për implementimin e marrëveshjeve për Luginën e Preshevës dhe për liri, zhvillim, drejtësi e barazi kolektive.
Për fund, falenderoj përzemërisht të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë këtyre dy viteve, por edhe kritikët përmbajtësor dhe konstruktiv që më kanë nxitur të reflektojë për t’u përmirësuar.
Vazhdojmë!
Ju faleminderit!
COMMENTS