Në përvjetorin e parë të qeverisjes së re në Komunën e Bujanocit, Fronti për Ndryshim ka publikuar një kumtesë me tone triumfaliste, duke vlerësua

Në përvjetorin e parë të qeverisjes së re në Komunën e Bujanocit, Fronti për Ndryshim ka publikuar një kumtesë me tone triumfaliste, duke vlerësuar se një vit më parë qyteti ka hyrë në fazën e çlirimit nga, siç thuhet, “praktikat e vjetra të keqqeverisjes, nepotizmit dhe korrupsionit”.
“Me hapa të sigurt, kemi hyrë tashmë në vitin e dytë të qeverisjes sonë me Komunën e Bujanocit. Një vit që ka sjellë jo vetëm ndryshim, por edhe çlirim për qytetarët tanë,” thuhet në kumtesën e lëshuar më 30 korrik nga Fronti.
Në deklaratë theksohet se qeverisja aktuale ka sjellë “çlirim nga të pangopurit politik, keqpërdoruesit e çdo gjëje publike, nepotistët dhe të korruptuarit”, duke e krahasuar pushtetin e kaluar me një regjim të interesave personale dhe familjare.
“Çlirim nga pushteti i digitronëve, i ndarjes së pozitave për rehati, i qarit të tenderëve e pazarëve, i presioneve për ‘haraç’ ndaj investitorëve. Sot, Bujanoci po merr frymë më lirshëm,” thekson Fronti.
Sipas kësaj force politike, prioritet i qeverisjes është orientimi drejt qytetarit dhe interesit publik, duke ndjekur transparencën, barazinë dhe dinjitetin institucional.
“Po punojmë me përkushtim që të ndodhin gjëra të mira, reale dhe të qëndrueshme për të gjithë banorët e komunës,” thuhet më tej.
Fronti për Ndryshim pohon se është i angazhuar për ta bërë Bujanocin “oazë të barazisë për të merituarit, qendër të kulturës, aktiviteteve rinore dhe sportit”, ndërsa paralajmëron vazhdimin e shlyerjes së borxheve që, sipas tyre, janë trashëguar nga keqmenaxhimi i mëparshëm.
“Ne nuk jemi këtu vetëm për të ndërruar emra politikanësh, por për të ndërruar mendësi,” thekson kumtesa.
Në fund, Fronti për Ndryshim u zotua se do të vazhdojë rrugën drejt, siç e cilësojnë ata, ndërtimit të një administrate në shërbim të qytetarëve dhe të një klime më të shëndetshme politike dhe ekonomike në komunë.
COMMENTS