HomeEditorial

Fjala e redaktorit: Emërimi i Ragmi Mustafit- mes kapacitetit profesional dhe sfidës së perceptimit politik

Vendimi për emërimin e Ragmi Mustafit nga ana e kryeministrit Albin Kurti si Këshilltar Politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në kuadër të ek

KF Tèrnoci:Po na bëhen padrejtësi por ne do të ecim përpara
Mustafi: Dyfishim i Fondit për Luginën
Shefi i Zyres Ndërlidhëse të Kosovës qëndron edhe në Preshevë

Vendimi për emërimin e Ragmi Mustafit nga ana e kryeministrit Albin Kurti si Këshilltar Politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në kuadër të ekzekutivit të Kosovës hap një kapitull të ri, por njëkohësisht ngre disa pikëpyetje legjitime për mënyrën se si ky rol do të reflektohet në terren.

Deri më tani, reagimet publike kanë ardhur kryesisht nga përfaqësues të PVD-së, subjektit politik të cilit i përket vetë Mustafi, të cilët e kanë përshëndetur këtë veprim, derisa, të paktën deri në këto momente, nuk ka reagime nga korpusi tjetër politik shqiptar i Luginës . Kjo e vendos që në nisje emërimin në një kornizë të perceptimit partiak, pavarësisht natyrës institucionale të detyrës që ai do të ushtrojë.

Në aspektin profesional, Mustafi zotëron kapacitete dhe përvojë të adekuate. Ai ka qenë më herët këshilltar politik i ish zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi, ka drejtuar për një mandat Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe aktualisht mban funksione në nivel lokal. Kjo përvojë institucionale dhe politike e bën atë njohës të mirë të dinamikave në Luginë dhe në raport me institucionet e Kosovës.

Megjithatë, sfida kryesore mbetet sa do të arrijë ai të jetë realisht neutral ndaj implikimeve politike në terren? A do të mund ta ushtrojë këtë detyrë mbi baza gjithëpërfshirëse, duke i tejkaluar vijat partiake, apo do të perceptohet si përfaqësues i një krahu të caktuar politik?

Një tjetër çështje që mbetet e hapur është nëse Mustafi do t’i ngrijë funksionet e tij në PVD apo do të vazhdojë t’i mbajë paralelisht. Nëse ndodh kjo e dyta, ekziston rreziku që pozita në ekzekutivin kosovar të perceptohet si e politizuar dhe, në njëfarë forme, të degradohet në nivel ndikimi e kredibiliteti institucional.

Po ashtu, mbetet për t’u parë nëse ky emërim do të shërbejë si faktor bashkues në Luginë apo mund të thellojë përçarjet ekzistuese politike. Në një hapësirë tashmë të fragmentuar, çdo lëvizje me peshë politike ka potencial të prodhojë ose stabilitet, ose tension shtesë.

Në fund, emërimi i Ragmi Mustafit nuk është vetëm çështje biografie apo CV-je. Është provë e balancës mes profesionalizmit dhe politikës, mes mandatit institucional dhe përkatësisë partiake. Dhe pikërisht mënyra se si kjo balancë do të menaxhohet, do të përcaktojë nëse ky rol do të ketë ndikim real në terren apo do të mbetet pjesë e debatit politik.

COMMENTS