Avokati Drin Grazhdani ka njoftuar se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka regjistruar për herë të parë padinë e dorëzuar kundër Serbisë

Avokati Drin Grazhdani ka njoftuar se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka regjistruar për herë të parë padinë e dorëzuar kundër Serbisë lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc.
Sipas tij, padia është dorëzuar për shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj Teuta Fazliu, si rast konkret që synon të trajtojë një praktikë të cilësuar si sistematike. Ai thekson se pasivizimi i adresave përbën një formë spastrimi etnik administrativ, duke prekur jo vetëm qytetarët që punojnë jashtë vendit, por edhe ata që jetojnë brenda tij.
Grazhdani vlerëson se pasojat e këtij veprimi janë të rënda dhe konkrete: qytetarët humbasin të drejtën për t’u pajisur me letërnjoftim apo pasaportë të re, u cenohet e drejta e pensionit, sigurimi shëndetësor, e drejta e votës dhe të drejta të tjera themelore, çka sipas tij i detyron shumë prej tyre të largohen.
Regjistrimi i padisë dhe pajisja me numër aplikimi nga Gjykata e Strasburgut konsiderohet si një hap procedural me peshë, duke pasur parasysh se kjo gjykatë refuzon mbi 90 për qind të rasteve që në fazën fillestare.
Avokati ka bërë të ditur se qëllimi kryesor është që përmes këtij rasti të kërkohet zbatimi i procedurës së vendimit pilot, sipas rregullës 61 të Gjykatës. Një vendim i tillë nuk do të kishte efekt vetëm për rastin e Teuta Fazliu, por do të detyronte Serbinë të ndalonte praktikën në fjalë në mënyrë të përgjithshme dhe ta zbatonte vendimin në të gjitha rastet e ngjashme.
Në të njëjtën kohë, ai u ka bërë thirrje të gjithë të prekurve nga pasivizimi i adresave që të ndjekin procedurat e brendshme ligjore në Serbi, pavarësisht refuzimeve të mundshme nga institucionet.
Kjo është një fitore fillestare, ka theksuar Grazhdani, duke shtuar se do të mbetet i përkushtuar që rasti të përfundojë me një fitore të plotë.
COMMENTS