Ka ngjarje që, kur merren veç e veç, mund të duken si incidente të izoluara, si gabime institucionale apo veprime të papërgjegjshme të individëve.

Ka ngjarje që, kur merren veç e veç, mund të duken si incidente të izoluara, si gabime institucionale apo veprime të papërgjegjshme të individëve. Por kur ato ndodhin njëra pas tjetrës, në të njëjtin hapësirë dhe ndaj të njëjtit komunitet, atëherë lind natyrshëm pyetja: a kemi të bëjmë me rastësi apo me veprime të qëllimshme?
Gjithçka nisi në muajin maj, me demolimin e posterit të Komandant Lleshit në qendër të Bujanocit. Ky nuk u kuptua si një akt vandalizmi, por një goditje simbolike ndaj kujtesës kolektive dhe ndjeshmërisë së shqiptarëve të Luginës.
Pas kësaj pasuan grafitet që glorifikojnë Ratko Mladiqin, një i dënuar për krime lufte. Për shumë qytetarë të këtij rajoni, emri i tij përfaqëson dhimbje dhe frikë, jo heroizëm. Megjithatë, edhe këto mesazhe urrejtjeje u trajtuan si incidente dytësore, pa një reagim të qartë dhe bindës nga institucionet përgjegjëse.
Situata u rëndua edhe më shumë me deklaratat e drejtorit të Trupit Koordinues, Aleksandar Martinoviq, i cili i cilësoi pjesëtarët e UÇPMB-së si organizatë terroriste. Një gjuhë e tillë nuk ndihmon pajtimin, por rihap plagë të vjetra dhe rrezikon të kriminalizojë një komunitet të tërë.
Paradoksi u thellua me dekorimin e ish-ministrit Aleksandar Vulin nga i njëjti institucion. Çfarë janë realisht meritat e tij për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën? Një figurë politike që në shumë raste ka përdorur gjuhë denigruese ndaj shqiptarëve, sot paraqitet si e denjë për mirënjohje zyrtare në një rajon të ndjeshëm etnikisht. Mesazhi që përcillet është i qartë, por thellësisht shqetësues.
Si përmbyllje e kësaj serie veprimesh, erdhi vendosja e flamurit të Republikës Srpska në qendër të Bujanocit. Një akt i ngarkuar politikisht dhe emocionalisht, që vështirë se mund të quhet i pafajshëm. A ishte kjo një rastësi, një gabim protokollar, apo një provokim i menduar mirë për të testuar durimin dhe reagimin e qytetarëve?
Kur këto ngjarje shihen në vazhdimësi, bëhet gjithnjë e më e vështirë të besohet se kemi të bëjmë me rastësi. Pyetja që shtrohet është kujt i shërbejnë këto veprime dhe pse. A janë përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet reale të Luginës, si diskriminimi, mungesa e perspektivës dhe shpërngulja masive? Apo janë provokime të orkestruara për të mbajtur gjallë tensionin dhe për të justifikuar një politikë të mosndryshimit?
Institucionet shtetërore mbajnë përgjegjësi jo vetëm ligjore, por edhe morale. Në një mjedis të ndjeshëm si Lugina, çdo simbol, çdo deklaratë dhe çdo veprim ka peshë. Kur këto veprime dërgojnë mesazhe përjashtuese dhe provokuese, atëherë nuk kemi më të bëjmë me gafa të rastësishme, por me një dështim serioz institucional.
Dhe dështimet e përsëritura, siç dihet, rrallëherë janë të pafajshme.
COMMENTS