Augustin Palokaj As Kosova, as Serbia, as BE-ja e as SHBA-ja nuk duken të jenë të gatshme për një marrëveshje të shpe
Augustin Palokaj
As Kosova, as Serbia, as BE-ja e as SHBA-ja nuk duken të jenë të gatshme për një marrëveshje të shpejtë Kosovë-Serbi, për të cilën dikush shpreson e dikush i frikësohet. Duken të ekzagjeruara pritjet për një marrëveshje të shpejtë të tillë. Të gjitha këto palë, që kanë rol vendimtar në dialog, kanë shumë prioritete të tjera dhe dialogu mund të jetë pjesë e tyre vetëm nëse u ndihmon në realizimin e interesave të tjera. Prandaj do të ketë një status quo në dialog edhe për një periudhë të gjatë
Çfarëdo marrëveshjeje që do ta arrinte Hashim Thaçi do të ishte në këto momente e pranueshme për shumicën e deputetëve pakurrizorë në Kuvendin e Kosovës. Ata do t’i dëgjonin liderët e tyre partiakë, e këta të fundit do të bashkoheshin prapa Thaçit. Fundi i fundit, për ta të jenë deputetë është interesi kryesor. Në rast të zgjedhjeve të reja rrezikojnë vendin e mirë të punës, sidomos nëse dalin kundër ideve të shefave. Arsyetimi do të bëhej në stilin “kështu duan amerikanët” e ndoshta edhe “evropianët”. E ata të cilët do të ishin kundër marrëveshjes do të akuzoheshin se janë “antiamerikanë” dhe “antievropianë”. Janë formula shumë të thjeshta, por shumë efikase. Dhe në rastin e Hashim Thaçit janë vërtetuar si efikase. Me përjashtim të Marrëveshjes për “Asociacionin/Bashkësinë” e komunave me shumicë serbe ku u ftua Gjykata Kushtetuese t’i shpëtojë nga situata udhëheqësit politikë duke gjetur elemente në Marrëveshje të jenë kundër Kushtetutës.
Por duket se një marrëveshje e shpejtë “historike”, “gjithëpërfshirëse” nuk duket reale në situatën aktuale. Ka shumë arsye për të besuar se presidentët Thaçi e Vuçiq kanë qenë të gatshëm të arrijnë marrëveshjen, që do të përfshinte ndryshimin e kufijve, sido që ta quanin për nevoja të veta palët. Por kjo ide është ose e vdekur, ose aq shumë e plagosur, saqë nuk mund të ngrihet më në këmbë. Së pari, Gjermania dhe shumë shtete të BE-së janë kundër kësaj ideje. Presioni i madh ndaj Gjermanisë, si nga Brukseli, ashtu edhe nga qendra të tjera, nuk ka dhënë rezultat. Nëse ka dashur ambasadori amerikan në Gjermani, Grenell, t’i ndihmojë Thaçit kur ka thënë se ai “nuk e ka parë një marrëveshje të tillë” apo “nuk e ka avokuar” dhe se “ai personalisht nuk mendon se është ide e mirë”, atëherë ai e ka bërë një marrëveshje të tillë më të vështirë. Sepse Thaçi më nuk do të mund ta shesë atë para opinionin kosovar si “ide amerikane”. Dhe evropianët që janë kundër nuk do të mund të jenë nën presion aq sa do të ishin sikur Washingtoni publikisht të pranonte se mbështet një ide të tillë.
Për shumë arsye nuk duket reale se mund të ketë ndonjë marrëveshje së shpejti. Jemi në një krizë të madhe, më të madhe se kurdoherë më parë të shkaktuar nga koronavirusi. Liderët e BE-së nuk po arrijnë të takohen fizikisht në ndonjë konferencë tash e sa muaj. Dhe nuk mund të parashikohet se kur do të mund të organizohet ndonjë takim në kuadër të dialogut. Nuk duket real para vjeshtës. Në anën tjetër, nuk është reale të pritet që përmes Skypit, me ndërmjetësime nga Washingtoni apo Bratislava (sepse Lajçak si përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialog po punon nga shtëpia e tij për shkak të krizës së coronavirusit) të arrihet marrëveshja.
Lajçak përfaqëson Bashkimin Evropian, i cili nuk e ka të qartë se çfarë do nga ky dialog. Ajo që është përkufizuar në qëndrimet e BE-së si një “marrëveshje për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve, ligjërisht obliguese”, me shtesa se duhet të jetë “sipas standardeve evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, me ndikim pozitiv në rajon” është shumë abstrakte. Sepse për vetë definimin e këtyre elementeve nuk ka pajtim as në BE. Ja, për shembull, ta marrim atë që të jetë “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, Lajçak dhe shefi i tij Borrell nuk e mbështesnin pavarësinë e Kosovës as kur GJND-ja u shpreh se është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ose se së paku nuk e shkel atë. E idenë për ndryshim të kufijve apo shkëmbim territori në baza etnike, shumë diplomatë në BE, shumë njerëz edhe në Kosovë, mes të tjerash, e kanë vlerësuar të jetë në kundërshtim edhe me vlerat evropiane. E të mos flasim se të gjithë në rajon (me përjashtim të Shqipërisë dhe entitetit të Republika Sërpskas në Bosnjë-Hercegovinë) e kanë konsideruar si rrezik serioz për stabilitetin e rajonit.
Roli i BE-së, nëse do të mbështet të gjitha shpresat në Lajçakun dhe në shefin e tij Borrel, do të vazhdojë të jetë edhe më i dobët sesa që ishte më parë. Për shkak se BE-ja pa qëndrim të qartë rreth statusit të Kosovës nuk mund të shtyjë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
e vetme për një rol vendimtar të BE-së janë nëse konkretisht angazhohen Gjermania dhe Franca. Ato duket se qëndrojnë prapa Lajçakut, që është mirë për ish-ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, sepse e bën pak më të pranueshëm për kosovarët, nëse u thuhet se ”prapa tij qëndron edhe Gjermania”. Në një intervistë me Agron Bajramin në KTV, ambasadori gjerman në Prishtinë u shpreh se “Lajçak përfaqëson tërë BE-në, edhe Gjermaninë”. Por kjo nuk është aq e thjeshtë. Sepse ai përfaqëson edhe Spanjën, Qipron e Rumaninë, që bën që BE-ja të mos ketë qëndrim për statusin e Kosovës. Gjermania sillet si një shtet i cili e di se çfarë nuk do, pra nuk do ndarje të Kosovës, dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Por nuk është vërejtur deri më tash ndonjë angazhim i madh i Gjermanisë në BE për t’i detyruar vendet e tjera ta njohin Kosovën, për të bërë që BE-ja të flasë me një zë të bashkuar. Aktiviteti i Britanisë së Madhe në këtë drejtim ka qenë më i dukshëm sesa ai i Gjermanisë. Gjermania është një shtet shumë serioz, por që vepron shumë ngadalë edhe për shkak se nuk dëshiron të gabojë.
Në anën tjetër, BE-ja nuk ka edhe aq shumë për t’iu ofruar palëve si motiv për arritjen e marrëveshjes. Procesi i zgjerimit është në një fazë edhe më të ngadalshme. Nëse pritet progres drejt anëtarësimit për të arritur marrëveshjen, kjo do të zgjasë edhe dhjetë vjet. Dhe nuk përjashtohet mundësia që dialogu të zgjatë edhe shumë vjet.
Angazhimi amerikan po ashtu duket se është përdorur në masë të tepruar, për shkaqe të brendshme politike në Kosovë. Në bazë të asaj që ka thënë publikisht Richard Grenell, duket se ai nuk ka ide se çfarë dëshiron të arrijë. Apo nuk i intereson, por vetëm do që palët vetë të merren vesh e pastaj të tjerëve t’u thuhet se “nuk mund të jeni kundër nëse ata vetë janë marrë vesh”. Pohimet e Grenelit se ai dëshiron heqje të pengesave për ekonomi dhe tregti, për krijimin e vendeve të punës, duken sikur ato të para 10 vjetësh të drejtorit politik në Këshillin e BE-së, Rober Cooper, ku thoshte se qëllimi i tij është që “të krijojë kushte që një bujk nga Kosova të shesë patate në Serbi”. Problemi është në njohjen e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë, dhe kushdo që nuk e ka këtë si qëllim të dialogut nuk mund të ketë sukses në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje.
Po ashtu, janë të ekzagjeruara pohimet se administrata amerikane në vitin e fundit do një sukses ndërkombëtar të presidentit Trump. Ky president pa dyshim do të donte të dëshmonte se të gjitha administratat para tij, sidomos Clintonët dhe Obama, kanë dështuar dhe ai do t’i ndreqë gabimet. Por kjo nuk mund të luajë ndonjë rol në motivet e qytetarëve amerikanë kur të hedhin votën e tyre në zgjedhjet presidenciale.
As Kosova, as Serbia, as BE-ja e as SHBA-ja nuk duken të jenë të gatshme për një marrëveshje të shpejtë Kosovë-Serbi, për të cilën dikush shpreson e dikush i frikësohet. Duken të ekzagjeruara pritjet për një marrëveshje të shpejtë të tillë. Të gjitha këto palë, që kanë rol vendimtar në dialog, kanë shumë prioritete të tjera dhe dialogu mund të jetë pjesë e tyre vetëm nëse u ndihmon në realizimin e interesave të tjera. Prandaj do të ketë një status quo në dialog edhe për një periudhë të gjatë.
Çfarëdo që të vendosë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ai vendim nuk do të sjellë stabilitet politik në Kosovë, së paku jo në atë masë që dikush në emër të Kosovës të mund të arrijë marrëveshje me Beogradin. Nëse vendos se duhet të shihet në zgjedhje të reja, atëherë do të kalojnë disa muaj derisa të mos dalë një qeveri e re pas tyre. Ndërkohë, i shkarkuar nga Kuvendi, kryeministri në detyrë, Kurti, nuk do ta kishte mbështetjen e nevojshme për ta prezantuar Kosovën në dialog. As presidenti Thaçi, mandati i të cilit gradualisht po i afrohet fundit, nuk mund ta ketë atë fuqi të qartë. E nëse krijohet qeveria Hoti, ajo do të jetë krejtësisht e papërgatitur për dialog. Përsëritja e deklaratave infantile për “përmirësimin e raporteve me miqtë e Kosovës” dëshmon se sa pak i kupton ai sfidat ndërkombëtare të Kosovës. E ato nuk janë “miqësitë” apo “armiqësitë”, siç mund të shiten në një pjesë të Kosovës, por janë shumë më të thella. Akuzat për “antiamerikanizëm” apo “antievropianizëm” përdoren kur dikush nuk ka argumente të tjera dhe dëshmojnë më shumë dobësi sesa fuqi. Ajo do të ishte një qeveri e cila nuk do ta kishte pushtetin, por do të vepronte sipas vendimeve që do të merreshin jashtë institucioneve, nga krerët partiakë nëpër takime private apo biseda telefonike. Me “Qeverinë Hoti” vendimet do të merreshin nga Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj e Behghet Pacolli, ndërsa Qeveria vetëm do t’i zbatonte. Edhe pse të gjithë këta janë bashkuar kundër Vetëvendosjes, nuk është e sigurt se do të ishin unikë edhe për marrëveshjen me Serbinë.
Në fund duhet theksuar se edhe në Serbi do të ketë zgjedhje në qershor. Edhe pse rezultati atje dihet, që dëshmon se në atë shtet nuk ka një pluralizëm të qartë politik, nuk mund të pritet që gjatë kohës së zgjedhjeve dhe menjëherë pas tyre Beogradi të pranojë të arrijë një marrëveshje të shpejtë me Kosovën, përpos nëse vërtet do t’i ofrohej diçka që nuk mund ta refuzojë.
Nuk duhet lënë anash as Gjykatën Speciale, të krijuar nga Kosova me kërkesë të “miqve të saj” dhe të mbështetur fuqishëm nga disa liderë të përmendur më lart me argumentin se “Kosova nuk ka çfarë të fshehë”. Kjo gjykatë, krijimi dhe puna e së cilës kanë shkuar paralelisht me dialogun e Brukselit, për fat të keq ka pasur shumë ndikim në sjelljen e disa politikanëve të Kosovës dhe do të ketë edhe tash, kur duket se do të dalin edhe akuzat e para.
Në këto rrethana nuk duhet të ketë as frikë e as shpresa se do të ketë një marrëveshje të shpejtë. Nëse do të ndodhte, nuk dihet a do të bënte më shumë dëm apo do të kishte dobi.
COMMENTS