Drejtuesit e komunës së Bujanocit, kryetari i komunës, Arbër Pajaziti dhe ai i Kuvendit Komunal, Driton Rexhpi, janë pritur sot në Prishtinë nga p
Drejtuesit e komunës së Bujanocit, kryetari i komunës, Arbër Pajaziti dhe ai i Kuvendit Komunal, Driton Rexhpi, janë pritur sot në Prishtinë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Për rrjedhën e takimit, kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka ndarë këtë njoftim:
Me Dritonin dhe Shabain, sot u pritëm ngrohtësisht nga presidentja e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani.
Zhvilluam një bisedë miqësore dhe shumë të hapur, duke diskutuar temat që preokupojnë qytetarët në komunën e Bujanocit dhe në përgjithësi në Luginë.
Presidentja me shumë vëmendje dëgjoi hallet tona, por në të njejtën kohë u shfaq e gatshme për të kordinuar agjendat rreth mbështetjes konkrete për qytetarët tanë.
Nga ana jonë, ritheksuam domosdoshmërinë e bashkëpunimit institucional me Kosovën, pa përjashtime, duke eliminuar animet politike të çfarëdo lloji.
Përshëndetëm dhe falenderuam ndihmat e deritanishme që Kosova ka destinuar për Luginën por edhe miratimin e disa ligjeve që lehtësojnë pozitën e bashkëqytetatëve tanë që jetojnë dhe veprojnë atje.
Veçanërisht falenderuam presidenten për trajtimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës në takimet me diplomatë të huaj, sidomos gjatë paraqitjes së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Në fund i uruam presidentes mbarëvajtje të procesit zgjedhor në Kosovë duke qenë të bindur se edhe kësaj here do të dëshmohet niveli i lartë i demokracisë.
Shfaqëm gatishmërinë por edhe kënaqësinë tonë për pritjen e presidentes në një të ardhme të afërt në Bujanoc, me shpresë se një vizitë e tillë nuk do të has në pengesa nga autoritetet e Beogradit.
COMMENTS