Në Bujanoc u organizua sot një diskutim publik kushtuar pjesëmarrjes së kandidatëve shqiptarë në trajnimet për policë të ardhshëm në Policinë e Se

Në Bujanoc u organizua sot një diskutim publik kushtuar pjesëmarrjes së kandidatëve shqiptarë në trajnimet për policë të ardhshëm në Policinë e Serbisë.
Pjesë e panelit ishin përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë – Drejtoratit për Trajnime, përfaqësues të OSBE-së, si dhe të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Gjatë diskutimit u fol për kriteret dhe testet që duhet të plotësojnë kandidatët për t’u pranuar në Akademinë Policore, ndërsa vëmendje e veçantë iu kushtua njohjes së gjuhës serbe si një ndër sfidat kryesore për kandidatët shqiptarë. Nga OSBE-ja u bë e ditur se do të organizohen kurse falas të gjuhës serbe për kandidatët e interesuar.
Në takim u shpreh edhe shqetësimi lidhur me mungesën e mundshme të policëve shqiptarë në të ardhmen, duke pasur parasysh se gjenerata e policisë multietnike po i afrohet pensionimit.
Po ashtu, u diskutua për kushtet dhe mënyrën e trajnimit në Akademinë Policore në Mitrovicë të Sremit, testet mjekësore dhe procedurat që kandidatët duhet të kalojnë gjatë procesit të përzgjedhjes.
Një nga propozimet e paraqitura ishte edhe krijimi i një qendre të përkohshme trajnimi në Luginë, me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të kandidatëve shqiptarë për konkursin dhe testimet.
Diskutimi zgjoi interesim të madh edhe tek të rinjtë shqiptarë që morën pjesë në këtë aktivitet, ndërsa nga panelistët u dërgua mesazhi që sa më shumë të rinj dhe të reja shqiptare të aplikojnë në konkursin e ri për policë, i cili pritet të shpallet gjatë vjeshtës.
U theksua se përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e sigurisë mbetet i rëndësishëm për ndërtimin e besimit institucional dhe përfaqësimin e barabartë në një shoqëri.

COMMENTS