Diaspora shqiptare në Itali ka riafirmuar mbështetjen e saj të fuqishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke e vendosur këtë çështje sërish

Diaspora shqiptare në Itali ka riafirmuar mbështetjen e saj të fuqishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke e vendosur këtë çështje sërish në fokusin e vëmendjes publike dhe ndërkombëtare.
Kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi, ka bërë të ditur se, me ftesë të Federatës Kombëtare të Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI), ka marrë pjesë në Konferencën e fundvitit kushtuar Kosovës Lindore – dje, sot dhe sfidave të së ardhmes, ku u miratua një rezolutë e qartë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sipas Rexhepit, rezoluta dënon praktikat diskriminuese dhe pasivizimin e adresave, si dhe shkeljet sistematike të të drejtave civile, politike, ekonomike dhe arsimore të shqiptarëve në Luginë. Po ashtu, ajo kërkon përfaqësim institucional të drejtë, përdorim të plotë të gjuhës shqipe dhe ndalim të praktikave që, përmes mekanizmave administrativë, çojnë në spastrim etnik.
Në këtë konferencë është bërë edhe një thirrje e drejtpërdrejtë për angazhim më aktiv të Bashkimit Evropian dhe mekanizmave ndërkombëtarë, me qëllim garantimin e të drejtave themelore të shqiptarëve në jug të Serbisë.
Kryetari i KKSH-së ka shprehur falënderim të veçantë për shqiptarët e diasporës në Itali, për shoqatat dhe aktivistët që vazhdojnë ta ngrenë zërin për Luginën e Preshevës, duke e mbajtur këtë çështje gjallë në agjendën publike dhe ndërkombëtare.
“Angazhimi dhe atdhetarizmi i diasporës janë dëshmi e qartë se Lugina e Preshevës nuk është dhe nuk do të mbetet e vetme”, ka theksuar Rexhepi.
Video: https://www.facebook.com/share/v/1BdaUeN5p1/

COMMENTS