Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka bërë të ditur se një delegacion nga Kosova nuk është lejuar të hyjë në Preshevë për t’i shprehur ngushëll

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka bërë të ditur se një delegacion nga Kosova nuk është lejuar të hyjë në Preshevë për t’i shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së babait të saj.
Sipas reagimit të Sinanit, delegacioni përbëhej nga deputetet e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, Fatmire Mullhaxha Kollçaku dhe Liza Gashi, ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, si dhe Ragmi Mustafi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Sinani ka sqaruar se vizita kishte karakter personal dhe synonte shprehjen e ngushëllimeve për familjen e saj, ndërsa delegacioni përcillte edhe mesazhe ngushëllimi nga kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Sipas saj, pas disa orësh pritjeje në vendkalimin kufitar në Depcë, autoritetet kufitare e njoftuan delegacionin se nuk mund të vazhdonte drejt Preshevës.
Për pasojë, Sinani, së bashku me vëllezërit dhe familjarët e saj, u takua me delegacionin në vendkalimin e Depcës, në territorin e Kosovës, ku pranoi ngushëllimet.
Në reagimin e saj, Sinani e ka kritikuar vendimin e autoriteteve serbe, duke vlerësuar se pengimi i një vizite të tillë, me karakter personal dhe human, reflekton ndikimin e marrëdhënieve politike edhe në raste familjare.
Ajo ka falënderuar deputetet dhe ambasadorin Jashari për gatishmërinë për të qenë pranë saj dhe familjes në këtë moment të vështirë, duke shprehur keqardhjen që nuk pati mundësi t’i priste në shtëpinë e saj në Preshevë.
Në përfundim të reagimit, Sinani ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve me Kosovën, duke shprehur gatishmërinë e saj për të qenë pranë saj në çdo formë.

COMMENTS