HomeUncategorized

Fejton:Një tregim serbo-shqiptar: Një faqe e re e historisë (Pjesa 1)

Shkruan: Radoman Iriq Nuk ka dyshim se 20 maji i vitit 2001 është data më e rëndësishme në marrëdhëniet serbo-shqiptare në Serbi pas periudhës

Komunë: Kujdes kujt po i jepni pare
“Vdekje shqiptarëve” në oborrin e shtëpisë së shëndetit në Bujanoc, kërkohet zbardhja e rastit
Përkeqësimi i gjendjes me Covid në Bujanoc, nesër në Shtabin komunal edhe epidemiologu Tiodoroviq

Shkruan: Radoman Iriq

Nuk ka dyshim se 20 maji i vitit 2001 është data më e rëndësishme në marrëdhëniet serbo-shqiptare në Serbi pas periudhës së Sllobodan Millosheviçit, sepse ajo ditë i dha fund konfliktit midis shqiptarëve të armatosur dhe policisë serbe.

Mbetet që historia ta konfirmojë këtë dhe të matë karakterin dhe pasojat e tij në dritën e integrimit evropian përgjatë gjeneratave.

Sido që të jetë, të enjten, më 20 maj, u bënë 20 vjet nga nënshkrimi i “Deklaratës për Demilitarizimin” – një dokument që shqiptarët e Serbisë së Jugut (ata thonë Luginat e Preshevës) e quajnë “Marrëveshja e Konçulit”.

Ky akt krijoi kushtet që shqiptarët e armatosur – pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit (UÇPMB), të dorëzonin armët dhe të çmilitarizohet Zona e Sigurisë Tokësore (ZST) në të njëjtën kohë.

Më 31 maj të të njëjtit vit (njëmbëdhjetë ditë më vonë), pjesëtarët e Forcave të Përbashkët të Sigurisë (FPS), Ushtria Jugosllave dhe policia Serbe, pas më shumë se gjashtë muajsh (192 ditë), hynë në ZTS-së  duke i dhënë fund konfliktit të armatosur midis shqiptarëve të armatosur dhe policisë serbe.

Nëse këto dy data nuk do të kishin ndodhur, 20 vjet më parë, nën regjinë e  bashkësisë ndërkombëtare, pyetja e madhe është nëse, kur dhe si, gjakderdhja në Bujanoc dhe Preshevë do të ishte ndalur, cila do të ishte marrëdhënia midis serbëve dhe shqiptarëve sot dhe si do të jetonim ata sot në këtë zonë?

Kjo është arsyeja pse ky përvjetor është një rast i mirë për të kujtuar  kur në Kosovë midis serbëve dhe shqiptarëve u shfaqën shkëndijat e para si dhe pse u transferuan në Serbi në ato zona ku jetojnë shqiptarët.

Ky është vetëm një tregim ” Serbo-Shqiptarë” për ato ngjarje, një udhëzues për ngjarjet dhe njerëzit deri më sot.

Në atë gjenezë të ngjarjeve, ne do të fillojmë nga demonstratat në Kosovë më 1968, pastaj nga Kushtetuta e vitit 1974, vdekja e Titos më 1980, demonstrata të tjera në Kosovë më 1981, Memorandumi i  SANU nga 1985, Fushë Kosova dhe Gazimestani, deri në ardhjen e Millosheviqit në Kosovë më 1987 dhe Kongresin e 14-të të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë më 1990 i cili çoi në prishjen e Jugosllavisë dhe fillimin e konflikteve të ashpra të luftës pas së cilës serbët fituan sanksionet dhe Ballkani fitoi gjashtë shtete të reja.

Reflektimet e para të krizës jugosllave u manifestuan në jug të Serbisë me krijimin e dy partive shqiptare në gusht të 1990-së dhe Referendumin e shqiptarëve në mars të vitit 1992.

Në të njëjtën kohë, situata në Kosovë  mori dimensione të reja ngase ishin rritur gjasat për  një gjendje reale lufte duke vënë në sprovë të madhe  komunitetin ndërkombëtar që nga Lufta e Dytë Botërore.

Siç dihet, lufta në Kosovë përfundoi me ndërhyrjen  e NATO-s më 1999, nga ku trazirat dhe incidentet e armatosura u përhapën në Serbinë e Jugut, në komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës duke   lënë pasoja të qëndrueshme në të gjitha sferat në marrëdhëniet shqiptaro-serbe.

Së fundmi, nuk duhet të harrojmë: edhe pas 20 vjetësh të këtij konflikti, as autoritetet shtetërore të Serbisë, as institucionet kompetente dhe kronistët e luftës, as anëtarët e shoqërisë civile, nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë numrin dhe karakterin e këtyre incidenteve, numrin e viktimave, të plagosurve, të zhdukurve dhe të zhvendosurve, dhe për të bërë një lloj vlerësimi të dëmit material.

Në mungesë të treguesve përkatës, kronistët, duke iu referuar burimeve të disponueshme vendase dhe të huaja, përdorin të dhënat e mëposhtme:

Nga fillimi i bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999 deri në fund të majit 2001, (pak më shumë se 26 muaj), në konfliktet në jug të Serbisë, kryesisht në komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, u vranë ose u zhdukën më  shumë se 100 anëtarë të UÇPMB-së, policisë serbe, Ushtrisë Jugosllave  si dhe civil.

Më shumë se 300 u plagosën lehtë dhe rëndë, dhe dëmi material në objektet dhe infrastrukturë vlerësohet në miliona dollarë.

Në të njëjtën kohë, disa mijëra serbë, shqiptarë dhe romë u zhvendosën përkohësisht ose përgjithmonë.

Pa marrë parasysh se si i shohim  këto dy data të së njëjtës ngjarje, ato hapën një faqe të re në historinë moderne të marrëdhënieve serbo-shqiptare dhe definuan përgjithmonë pozicionin e ndërsjellë të serbëve dhe shqiptarëve jo vetëm në Serbinë e Jugut, por gjithashtu paracaktuan dhe formuluan pozicionin dhe statusin të komunitetit kombëtar shqiptar në Serbi.

( Ky fejton nuk përmban qëndrimet e redaksisë së FOLonline )

 

 

COMMENTS