HomePolitikë

Kamberi mbështet kandidatin e studentëve për kryetar të Kuvendit të Serbisë, kërkon ndryshim të qasjes ndaj shqiptarëve (video)

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka paralajmëruar se Koalicioni Shqiptar do ta mbështesë Aleksandar Çupiçin, kandidatin e Lis

A mundet Trupi Kordinues ta ndihmojë Komunalinë ?
APN reagon për faturat e ujit
Ka skaduar afati: 17 lista për zgjedhjet parlamentare, 8 kandidatë për president

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka paralajmëruar se Koalicioni Shqiptar do ta mbështesë Aleksandar Çupiçin, kandidatin e Listës Studentore për kryetar të Kuvendit të Serbisë.

Kamberi e bëri të ditur këtë qëndrim gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Serbisë, të mërkurën, më 18 nëntor, ku u diskutua për zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit.

Ai gjithashtu njoftoi se, me autorizimin e deputetit Ahmedin Shkrijelj, edhe SDA e Sanxhakut do ta mbështesë kandidatin e Listës Studentore.

Në fjalimin e tij para deputetëve, Kamberi përgëzoi Listën Studentore për fitoren bindëse në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke shprehur gatishmërinë për dialog dhe bashkëpunim me shumicën e re parlamentare.

Megjithatë, ai theksoi se ndryshimi politik në Serbi duhet të shoqërohet edhe me ndryshimin e qasjes së institucioneve shtetërore ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Gatishmëria për partneritet nuk nënkupton gatishmëri për konformizëm. Hapja ndaj dialogut nuk nënkupton heqje dorë nga parimet, ndërsa bashkëpunimi politik nuk mund të jetë zëvendësim për realizimin e të drejtave”, deklaroi Kamberi.

Deputeti shqiptar rikujtoi se kërkesat e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk janë të reja, por çështje të pazgjidhura prej më shumë se tri dekadash.

Ai kërkoi përfaqësim të drejtë të shqiptarëve në institucionet shtetërore, polici, gjyqësor dhe shërbimet publike, njohjen e diplomave të universiteteve të Kosovës, ndalimin e pasivizimit të adresave, zhvillim ekonomik dhe investime në Luginën e Preshevës.

Kamberi përmendi edhe nevojën për avancimin e arsimit në gjuhën shqipe, sigurimin e teksteve shkollore, respektimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe zhbllokimin e mjeteve financiare që Këshilli Kombëtar Shqiptar përfiton nga Kosova.

Sipas tij, institucionet serbe duhet t’u kthehen marrëveshjeve dhe dokumenteve ekzistuese, përfshirë Planin Shtatëpikësh dhe Planin e Veprimit të vitit 2022.

“Për mënyrën, dinamikën dhe mekanizmat institucionalë të zgjidhjes së problemeve mund të bisedojmë. Por për vetë të drejtën e barazisë nuk mund të negociojmë”, theksoi Kamberi.

Ai bëri të qartë se përfaqësuesit shqiptarë do t’i mbështesin nismat që kontribuojnë në demokratizimin e Serbisë, forcimin e institucioneve dhe integrimin evropian, por nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre në këmbim të posteve politike.

“Ne nuk vijmë për të kërkuar një vend në pushtet. Vijmë për të luftuar për vendin e shqiptarëve në institucionet e këtij shteti”, përfundoi Kamberi.

Ndërkohë, mbështetje për kandidatin e Listës Studentore kanë paralajmëruar edhe përfaqësues të tjerë të pakicave kombëtare, përfshirë Balint Pastorin nga Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës dhe Usame Zukorliçin nga Partia për Drejtësi dhe Pajtim.

Për postin e kryetarit të Kuvendit të Serbisë, përveç Aleksandar Çupiçit, kandidat është edhe Stojan Radenoviç, i propozuar nga grupi parlamentar i udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq.

Deri në përfundimin e seancës së të mërkurës, Kuvendi nuk kishte votuar ende për zgjedhjen e kryetarit të ri. Vazhdimi i seancës është caktuar për të enjten, më 19 nëntor.

Fjalimi i Kamberit (video)

https://www.facebook.com/share/v/1MmmYG4phZ/

COMMENTS