HomeVështrime

Pajaziti :Konsullata e Shqipërisë në Bujanoc shpejt do të bëhet realitet

Vështrim i kryetarit të komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti rreth hapjes së Konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc Pajaziti :Konsullata e Shqipër

Humanisti Refik Memeti maltretohet nga policia në Dobrosin
Derbi i xhiros së tetë: Tërnoci-Morava
Babadimri “ngulfat” Bujanocin

Vështrim i kryetarit të komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti rreth hapjes së Konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc

Pajaziti :Konsullata e Shqipërisë në Bujanoc shpejt do të bëhet realitet

Lidhur me debatet e fundit rreth hapjes së Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Bujanoc dhe përpjekjeve për ta ndërlidhur këtë proces me mundësinë e hapjes së një konsullate të Serbisë në Shkodër, ndiej obligim të shpreh qëndrimin tim si kryetar i Komunës së Bujanocit.

Së pari, dua të shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim për angazhimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Ferit Hoxha, si dhe të gjithë diplomacisë shqiptare për përkushtimin e vazhdueshëm ndaj çështjeve të Luginës së Preshevës. Në këtë drejtim, përshëndes çdo aktivitet dhe çdo formë angazhimi që forcon praninë institucionale të Shqipërisë në Luginë.

Hapja e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Bujanoc është një imperativ i angazhimeve dhe koordinimeve tona të përbashkëta me institucionet e shtetit shqiptar. Në çdo takim dhe në çdo bisedë që kam zhvilluar me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Beograd, Sh. T. Bardhyl Canaj, çështja e konsullatës ka qenë pjesë e pandashme e agjendës sonë. Madje, kemi koordinuar një sërë çështjesh, përfshirë edhe aspektet teknike, me qëllim që Shqipëria të ketë një përfaqësim sa më dinjitoz diplomatik në Luginë, përkatësisht në Bujanoc.

Me autorizim të plotë të misionit diplomatik shqiptar, çështjen e hapjes së konsullatës e kam ngritur edhe në takimin me Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 20 prill në Beograd.

Po ashtu, koordinimi i veprimeve drejt finalizimit të këtij procesi u thellua edhe në takimin që zhvilluam më 3 qershor në Tiranë me kryediplomatin Ferit Hoxha. Për këtë arsye, jam plotësisht i bindur se diplomatë me përvojën, profesionalizmin dhe peshën ndërkombëtare që kanë Ferit Hoxha dhe Bardhyl Canaj nuk kanë gabuar në asnjë moment në mënyrën se si e kanë udhëhequr këtë proces.

Përpjekjet për ta ndërlidhur hapjen e Konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc me një konsullatë të Serbisë në Shkodër nuk përkojnë as me realitetin, as me demografinë dhe as me logjikën e zhvillimeve politike në rajon. Prania institucionale e Shqipërisë në Luginën e Preshevës, e veçanërisht në Bujanoc, është një domosdoshmëri që buron nga nevojat reale të qytetarëve dhe lidhjet tona historike, kombëtare, kulturore e familjare. Ndërkaq, një përfaqësi e Serbisë në Shkodër lidhet më tepër me parimet e reciprocitetit diplomatik dhe nuk mund të trajtohet si një çështje e së njëjtës natyrë.

Në fund të fundit, Shqipëria, me përvojën e saj 114-vjeçare si shtet, di më së miri t’i mbrojë interesat e veta kombëtare dhe diplomatike. Nuk kam asnjë dyshim se institucionet dhe diplomacia shqiptare i marrin vendimet e tyre mbi bazën e interesit shtetëror dhe jo të interpretimeve të politikanëve periferikë apo analisteve pa peshë.

Ne, si vetëqeverisje lokale, do të qëndrojmë deri në fund të përkushtuar në bashkëpunimin tonë me institucionet dhe diplomacinë shqiptare për forcimin e pranisë së Shqipërisë në Luginën e Preshevës.

Hapjen e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Bujanoc e shohim si një hap të natyrshëm dhe strategjik drejt forcimit të lidhjeve tona, lidhje që burojnë nga i njëjti gjak, historia e përbashkët dhe e ardhmja që synojmë të ndërtojmë së bashku.

COMMENTS