HomeAktuale

Shërbimi i Trupit Koordinues nis fushatë informuese për procedurën e pasivizimit të adresave

Duke u bazuar në Planin e Veprimit për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare për periudhën 2026–2029, të miratuar nga Qeveria e Republikë

Takim me kongresistin James P. McGovern
Vazhdon puna e komisioneve për vlerësimin e projekteve të mbështetura nga Qeveria e Kosovës
Alarme për bomba në shkolla gjithandej, por edhe në institucione tjera…

Duke u bazuar në Planin e Veprimit për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare për periudhën 2026–2029, të miratuar nga Qeveria e Republikës së Serbisë më 28 maj 2026, Shërbimi i Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës ka nisur një fushatë informuese mbi procedurën e pasivizimit të adresave, me qëllim informimin në kohë, objektiv dhe transparent të qytetarëve për të drejtat e tyre dhe procedurat në fuqi.

Fushata zhvillohet në kuadër të masës 1.2 të Planit të Veprimit, e cila synon identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve që lidhen me mekanizmin e verifikimit të statusit të vendbanimit të pjesëtarëve të pakicave kombëtare. Në kuadër të aktivitetit 1.2.1, Shërbimi i Trupit Koordinues merr pjesë si partner në hartimin e hartës së procesit të pasivizimit të adresave, ndërsa në aktivitetin 1.2.2 është përgjegjës për përgatitjen e broshurave shumëgjuhëshe informuese mbi mekanizmin e pasivizimit të adresave dhe mjetet juridike në dispozicion.

Duke pasur parasysh ankesat gjithnjë e më të shpeshta të përfaqësuesve të pakicës kombëtare shqiptare lidhur me pasivizimin e adresave në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Shërbimi i Trupit Koordinues ka vlerësuar se është e nevojshme t’u ofrojë qytetarëve informacione të qarta, të verifikuara dhe lehtësisht të qasshme, të bazuara në legjislacionin e Republikës së Serbisë. Qëllimi i fushatës është që procedura e pasivizimit të adresave të paraqitet në mënyrë objektive dhe transparente, në mënyrë që të shmangen paqartësitë dhe qytetarët të kenë mundësi të mbrojnë me kohë të drejtat e tyre.

Në kuadër të fushatës janë përgatitur broshura shumëgjuhëshe, postera dhe billborde, të cilat do të jenë në dispozicion të qytetarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Broshura shpjegon në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme procedurën e pasivizimit të adresës, kushtet në të cilat mund të ndodhë, pasojat e mundshme, procedurën e riregjistrimit të vendbanimit, përkatësisht rikthimin e adresës në status aktiv, si dhe mjetet juridike që qytetarët mund të përdorin.

Posterat do të vendosen në institucionet publike, ndërsa billbordet në lokacionet qendrore të të tri komunave.

Në postera dhe billborde është vendosur një kod QR, përmes të cilit qytetarët mund të kenë qasje të drejtpërdrejtë në versionin elektronik të broshurës dygjuhëshe. Në këtë mënyrë u mundësohet qasje e shpejtë dhe e lehtë në të gjitha informacionet relevante lidhur me procedurën e pasivizimit të adresave, të drejtat e qytetarëve dhe mjetet juridike në dispozicion.

Broshurat do t’u shpërndahen komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe institucioneve publike në këto tri komuna, ndërsa versioni elektronik do të jetë i disponueshëm edhe në faqen zyrtare të Shërbimit të Trupit Koordinues dhe institucioneve të tjera kompetente.

Shërbimi i Trupit Koordinues vlerëson se bëhet fjalë për një fushatë me interes të veçantë publik, që synon t’u mundësojë qytetarëve informim të plotë dhe në kohë për çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në ushtrimin e të drejtave të tyre. Rëndësia e saj qëndron edhe në faktin se qytetarët do të njihen me pasojat e pasivizimit të vendbanimit dhe mënyrat e mbrojtjes së të drejtave të tyre, me qëllim shmangien e pasojave të mundshme negative në statusin e tyre juridik dhe në qasjen ndaj të drejtave dhe shërbimeve që u takojnë si qytetarë të Republikës së Serbisë.

Me realizimin e kësaj veprimtarie, Shërbimi i Trupit Koordinues zbaton detyrimet e parashikuara në Planin e Veprimit për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare për periudhën 2026–2029, duke kontribuar në rritjen e informimit të qytetarëve, transparencën e institucioneve dhe ushtrimin më efikas të të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Burimi: Shërbimi i Trupit Koordinues.

COMMENTS