HomeNë fokus

26 vjet nga dalja në skenë e UÇPMB-së – Dobrosini, kthesë historike për Luginën

Sot shënohen 26 vjet nga dalja publike në skenë e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), e cila ndodhi në Dobrosin gjatë

Të enjten mblidhet Kuvendi
Pajaziti: Pushteti po i detyron bizneset të mbyllen
Mbi 1 milion dinarë për dy rrugë në Tërnoc

Sot shënohen 26 vjet nga dalja publike në skenë e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), e cila ndodhi në Dobrosin gjatë varrimit të vëllezërve Saqipi, të vrarë nga policia serbe. Kjo ngjarje përbën një kthesë historike për shqiptarët e Luginës së Preshevës, pasi shënoi jo vetëm organizimin e mbrojtjes së pragut dhe dinjitetit, por edhe momentin kur bota demokratike u alarmua për vuajtjet, padrejtësitë dhe diskriminimin sistematik ndaj popullit shqiptar në këto troje.

Me rastin e këtij përvjetori, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka theksuar rëndësinë e veçantë të 26 janarit për historinë kolektive të shqiptarëve të Luginës:

“Sot, në 26-vjetorin e daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, me nderim të thellë kujtojmë një kthesë historike për popullin tonë në Luginë.
Kjo ditë nuk shënoi vetëm organizimin e mbrojtjes së pragut dhe dinjitetit tonë, por shënoi edhe momentin kur bota demokratike u alarmua për vuajtjet, padrejtësitë dhe diskriminimin sistematik që përjetonte populli ynë në këto troje.
Ishte zëri i një populli që nuk pranoi të mbetej i heshtur përballë padrejtësisë.
Të gjitha arritjet që sot i gëzojmë në Luginë, sado të vogla që mund të duken, burimin e kanë pikërisht tek kjo ditë, tek guximi, sakrifica dhe vendosmëria e atyre që vendosën të dalin në skenë për të mbrojtur nderin dhe për të avancuar pozitën tonë kolektive.
Sot, me respekt të veçantë, i kujtojmë të gjithë ata që dhanë më sublimen për dinjitetin tonë, si dhe falënderojmë të gjithë ata që kontribuan në mënyra të ndryshme, shpesh në momentet më të vështira për popullin tonë, pa zhurmë, por me përkushtim të madh.
Dobrosini mbetet vend i shenjtë, simbol i qëndresës dhe krenarisë sonë kombëtare. Është vend që na kujton se liria, dinjiteti dhe e ardhmja nuk janë dhuratë, por rezultat i sakrificës.
Lavdi veprës së UÇPMB-së dhe nderim të përjetshëm për të gjithë ata që kontribuan për dinjitetin dhe të ardhmen e Luginës.”

Këtë përvjetor e ka përkujtuar edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, duke theksuar nderimin dhe krenarinë për dëshmorët dhe martirët e rënë:

“Sot shënuam 26-vjetorin e daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke kujtuar me respekt të thellë dhe krenari të përjetshme dëshmorët dhe martirët që ranë për të mos vdekur kurrë.
Me homazhe në Dobrosin, Lluçan dhe Tërnoc, u përkulëm para sakrificës së atyre që nuk u dorëzuan përballë padrejtësisë. Sakrifica e tyre mbetet themel i qëndresës sonë dhe obligim i përhershëm për ta ruajtur historinë, vlerat dhe idealin për të cilin u flijuan.
Lavdi dëshmorëve të kombit!”

Pas kryetarit të KKSH-së, ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, i cili theksoi se 26 janari mbetet një datë kyçe e rezistencës shqiptare:

“Sot shënohet 26-vjetori i daljes publike të UÇPMB-së, një ditë që përbën një kthesë të madhe në historinë e rezistencës shqiptare. Vrasja e vëllezërve Saqipi nuk ishte një sulm kundër një familjeje, por një goditje ndaj idealit për liri dhe dinjitet njerëzor.
Nga Dobrosini u dëgjua zëri i lirisë – një zë që nuk u shua, por u përhap në të gjithë Luginën e Preshevës, duke frymëzuar rezistencën dhe duke ndezur shpresën për çlirim.
Kujtimi i atyre ditëve na rikujton çmimin e lartë të lirisë dhe përgjegjësinë që kemi për ta ruajtur atë çdo ditë. Sot nuk përulemi vetëm para dhimbjes, por edhe para guximit që hapi rrugën e lirisë.
Lavdi Besim Faikut dhe gjithë martirëve të rënë.”

Në këtë ditë përkujtimore ka reaguar edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili theksoi se dalja në skenë e UÇPMB-së ishte një moment vendimtar për ndërgjegjësimin kombëtar:

“Sot shënohet 26-vjetori i daljes publike të UÇPMB-së, një ditë që përbën një kthesë të madhe në historinë e rezistencës shqiptare. Vrasja e vëllezërve Saqipi nuk ishte një sulm kundër një familjeje, por një goditje ndaj idealit për liri dhe dinjitet njerëzor.
Nga Dobrosini u dëgjua zëri i lirisë – një zë që nuk u shua, por u përhap në të gjithë Luginën e Preshevës, duke frymëzuar rezistencën dhe duke ndezur shpresën për çlirim.
Kujtimi i atyre ditëve na rikujton çmimin e lartë të lirisë dhe përgjegjësinë që kemi për ta ruajtur atë çdo ditë. Sot nuk përulemi vetëm para dhimbjes, por edhe para guximit që hapi rrugën e lirisë.
Lavdi Besim Faikut dhe gjithë martirëve të rënë.”

Ndërsa kryetari i Lëvizjes së Progresit  Demokratik, Shqiprim Musliu, ka vënë në pah peshën historike të guximit dhe sakrificës së asaj periudhe:

“Guximi i këtyre djemve, i shkrirë me forcën dhe sakrificën e popullit tonë, preku përgjithmonë fatin tonë dhe ndryshoi jetën e secilit prej nesh.
Rroftë Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.”

Përvjetori i 26-të i daljes në skenë të UÇPMB-së u shënua me homazhe dhe aktivitete përkujtimore në Dobrosin, Lluçan dhe Tërnoc, ndërsa Dobrosini vazhdon të mbetet simbol i qëndresës, sakrificës dhe krenarisë kombëtare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

COMMENTS