Shfaqja e mbishkrimeve me emrin e të dënuarit për krime lufte nga Tribunali i Hagës, Ratko Mlladiq, në qendër të Bujanocit ka nxitur reagime të fo

Shfaqja e mbishkrimeve me emrin e të dënuarit për krime lufte nga Tribunali i Hagës, Ratko Mlladiq, në qendër të Bujanocit ka nxitur reagime të forta nga përfaqësuesit politikë e institucionalë të shqiptarëve.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, dënoi ashpër këtë veprim duke e quajtur të papranueshëm:
“Dënojmë mbishkrimet në qendër të qytetit me emrin e të dënuarit për krime lufte nga Tribunali i Hagës, Ratko Mlladiq. Kërkojmë nga organet kompetente të zbardhin rastin dhe të evitojnë çdo përsëritje të këtyre dukurive që nuk janë në interes të qytetarëve tanë. Është e papranueshme që deri më tani nuk është zbardhur asnjë rast i cili mund të çojë në tensione ndëretnike. Bujanoci gjithmonë ka qenë model i bashkëjetesës midis popujve dhe si i tillë duhet të mbetet.”
Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, reagoi ashpër:
“Krimi nuk do të bëhet kurrë lavdi! Të shkruash emrin e një krimineli lufte në zemër të Bujanocit është provokim i ulët dhe fyerje për të gjithë shqiptarët. Këto mbishkrime nuk janë vetëm ngjyrë në mure, por janë plagë të hapura për familjet e viktimave dhe popujt që kanë vuajtur nga gjenocidi. Ky akt ka pas vetes një strukturë të organizuar kriminale.”
Deputeti Shaip Kamberi e lidhi këtë fenomen me politikën shtetërore në Serbi:
“Glorifikimi i kriminelëve të luftës nga Qeveria në Beograd po i shndërron kriminelët e dënuar për krime lufte në emra që po vizatohen e shkruhen gjithandej në Serbi. Për fat të keq, mbrëmjen e kaluar edhe sheshi i Bujanocit nuk i shpëtoi këtij fenomeni. Kjo nuk është vetëm një fyerje për viktimat e luftës, por edhe një përpjekje e rrezikshme për të imponuar krimin si vlerë dhe për ta normalizuar të keqen. Çdo glorifikim i krimit është akt kundër paqes, drejtësisë dhe së ardhmes së shoqërisë.”
Banorët e Bujanocit e kanë dënuar gjithashtu këtë akt, duke e cilësuar si tentativë për të minuar bashkëjetesën dhe stabilitetin ndëretnik në komunë.
COMMENTS