Shkruan: Driton Hyseni Përpjekja e pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, për t’u dukur përpara ambasadorëve perëndimorë si demokratik, integrues e d
Shkruan: Driton Hyseni
Përpjekja e pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, për t’u dukur përpara ambasadorëve perëndimorë si demokratik, integrues e dialogues me shqiptarët në Serbi, ka arritur t’i nënshtrojë, përulë e denigrojë përfaqësuesit e tyre politikë.
Në kohën e fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 3 prillit, ministret në detyrë të ish Qeverisë së Partisë Përparimtare serbe, ajo e të Drejtave të Njeriut, të Pakicave dhe Dialogut Social, Gordana Çomiq, si dhe e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, Darija Kisiq, zgjodhën “dialogun social” ta drejtonin kah pakica shqiptare, e cilësuar nga raporte të ndryshme ndërkombëtare si më e diskriminuara në rajon.
“Dialogu social” mbi “Planin 7 pikësh” nënkuptonte për ta integrimin e shqiptarëve në institucione publike, për brenda tre muajve nga 11 marsi. Tani kur shënojmë dy muaj nga kjo datë, në terren duket e qartë që më shumë na ka integruar Gjermania, se Serbia.
Mbi 140 të rinj nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, nga janari kanë përfituar një vizë pune në Gjermani, e cila ka mundësi t’i integrojë ata përgjithmonë atje.
Qëllimisht, pushteti autoritar i Aleksandar Vuçiqit, iu nënshtrua thirrjes së ambasadorëve të huaj për t’u ulur në dialog me shqiptarët, duke konsideruar kohën më të përshtatshme për të, atë të zgjedhjeve, e cila nga shumica e politikanëve shqiptarë të rajonit të Luginës së Preshevës, nuk u pa si lojë politike, por si nevojë e përhershme.
Nëse politika e Vuçiqit, vlerësohet të jetë autoritare, diskriminuese, shtypëse ndaj shqiptarëve, nuk mund të konsiderohet e nevojshme për dialogim nga shqiptarët, kurdoherë kur është e gatshme ajo. Përkundrazi, shqiptarët duhet të jenë rezistues, kërkues dhe parimor dhe ta bëjnë politikën e Serbisë të ulet në dialog, gjithherë kur ata duan.
Për dy muaj, një grup punues i formuar nga shqiptarët, nën kompetencat e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, nuk ka arritur të informojë publikun për një shqiptar të vetëm të integruar në të paktën një institucion publik. Në dispozicionin e tyre janë edhe një muaj, për të dalur me rezultatet konkrete të “dialogut social”, i cili që në nisje i ka nënshtruar politikanët dhe poshtëruar shqiptarët.
Dialogu është zgjidhje, kur ka për çka dhe me kë të dialogohet. Pushteti i Vuçiqit, ka nënshkruar marrëveshje me shqiptarët, dhe duhet t’i zbatojë. Nuk ka nevojë të negociohet më për to!
Ndërsa politikanët e nënshtruar për rifillimin e “dialogut social” duhet t’i kërkojnë falje popullit të tyre.
Shqiptarët e Luginës nuk shquhen të nënshtruar, sikurse politikanët e tyre.
(Autori është stdudent i gazetarisë)
COMMENTS