HomeNë fokus

Ka nisur heshtja parazgjedhore, të dielën zgjedhjet për këshillat nacionale

Heshtja parazgjedhore ka filluar në mesnatën e së enjtes dhe do të zgjasë deri të dielën, më 8 nëntor, në orën 20:00, kur do të mbyllen vendvotimet.

“Luginas” përshëndet marrëveshjen për “Koalicionin Shqiptar”
Vajzat e KV Flaka pjesëmarrëse në turneun “Beach Volley U14” në Ferizaj
Rekomandimet e Sh.K.S.J.: Për Bajram vetëm në rrethin familjar

Heshtja parazgjedhore ka filluar në mesnatën e së enjtes dhe do të zgjasë deri të dielën, më 8 nëntor, në orën 20:00, kur do të mbyllen vendvotimet.

Të dielën, qytetarët e regjistruar në listat e veçanta zgjedhore do të votojnë për përbërjen e re të këshillave nacionale të pakicave kombëtare në Serbi.

Në këto zgjedhje do të zgjidhen anëtarët e 23 këshillave nacionale të pakicave kombëtare. Për 21 prej tyre votimi do të zhvillohet drejtpërdrejt, ndërsa për këshillat nacionale të komuniteteve gorane dhe ruse zgjedhja do të bëhet përmes kuvendeve të elektorëve.

Sipas të dhënave përfundimtare të listave të veçanta zgjedhore, për zgjedhjet e drejtpërdrejta janë regjistruar gjithsej 478.753 votues. Në garë janë 52 lista zgjedhore me gjithsej 1.056 kandidatë, ndërsa votimi do të organizohet në 949 vendvotime në mbarë Serbinë.

37.304 votues për Këshillin Kombëtar Shqiptar

Kur është fjala për komunitetin shqiptar, të drejtë vote për zgjedhjen e përbërjes së re të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) janë 37.304 qytetarë të regjistruar në listën e veçantë zgjedhore.

Shqiptarët do të votojnë ndërmjet katër listave zgjedhore, me gjithsej 107 kandidatë, për të zgjedhur 29 anëtarët e përbërjes së re të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Votimi për këtë institucion do të zhvillohet në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, si dhe në vendbanime të tjera të Serbisë ku janë të regjistruar votues shqiptarë.

Në tri komunat e Luginës së Preshevës janë gjithsej 55 vendvotime, prej të cilave 26 në Bujanoc, 23 në Preshevë dhe 6 në Medvegjë.

Këshilli Kombëtar Shqiptar është institucioni përfaqësues i shqiptarëve në Serbi, me kompetenca në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip.

Votimi nga ora 7:00 deri në 20:00

Vendvotimet të dielën do të hapen në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00.

Gjatë kësaj periudhe, votuesit do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar për njërën nga listat e shpallura zgjedhore.

Heshtja parazgjedhore nënkupton ndërprerjen e aktiviteteve të fushatës dhe ndalimin e promovimit publik të kandidatëve dhe listave zgjedhore.

Rezultati i votimit do të përcaktojë përbërjen e re të Këshillit Kombëtar Shqiptar për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

COMMENTS