Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, gjatë kësaj jave tuboi drejtuesit e subjekteve politike shqiptare nga komuna e Bujanocit.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, gjatë kësaj jave tuboi drejtuesit e subjekteve politike shqiptare nga komuna e Bujanocit.
Ai tha se gjatë takimit kanë biseduar për mundësinë e garimit me një listë të unifikuar për zgjedhjet lokale ose të paktën për të ruajtur shumicën shqiptare në qeverisje pas zgjedhjeve.
Kur paralajmëroi dërgimin e ftesave për këtë takim, Lutfiu iu referua bisedimeve aktuale të bllokut politik serb rreth pjesëmarrjes së tyre të përbashkët në këto zgjedhje.
Përkundër kësaj, kreu i KKSH-së tha se nuk ka asgjë kundër rivalëve që përfaqësojnë bashkëqytetarët nga etnia tjetër.
Në parim, iniciativa e Lutfiut ishte e mirë, por realizimi praktik i saj është gati se i pamundur.
Kjo vlen sidomos për mundësinë e garimit në një koalicion paraprak zgjedhor.
Kur dihet se ka të paktën katër subjekte politike shqiptare të cilat pretendojnë pushtetin, atëherë edhe hartimi i vet listës paraqet shumë pikëpyetje të cilat jetësimit të saj që në fillim ia këpusin këmbët.
E para është emri i bartësit të saj i cili me automatizëm do të nënkuptonte edhe kryetarin e ardhshëm të komunës.
Cilat kritere do të përdoreshin për të përcaktuar bartësin e listës së unifikuar?
Gjetja e kësaj formule është e barabartë me kapjen e një kombinimi fitues në “Euro Loto”.
Kujtojmë vetëm tentativat për listën e përbashkët për zgjedhjet parlamentare dhe odiseadën rreth Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe domosdo arrijmë në përfundim tek përgjigjja në pyetjen e parashtruar më herët.
Nëse për parlamentare nuk kishte ujdi, kurse për KKSH u shpenzuan muaj të tërë, edhepse ishte fare më e lehtë, për lokale ka aq komplikime saqë askush s’do të mund t’i zgjidhte.
Një fakt i rëndësishëm është se shumica e partive synojnë vetëm participimin në pushtetin lokal, mu për këtë qëllim janë krijuar dhe për atë kemi aq shumë subjekte në një hapësirë kaq të vogël vepruese.
Kur atyre ua mohon bartësin e listës ose pretendentin për kryetar komune është sikur t’ja ndalosh pjesëmarrjen në garën zgjedhore.
Besoj se askujt s’do t’i shkonte mendja të propozojë nga një vit mandat për kryetarin e komunës për secilin subjekt. E atëherë do të ishte një cirk i paparë.
Përveç bartësit të listës, problem në vete është edhe radhitja e kandidatëve tjerë në të, sidomos në 25 vendet e para.
Kush, cili, nga sa për secilin subjekt?…; janë vetëm disa nga pyetjet të cilat assesi nuk mund të japin përgjigje. Një listë e përbashkët do të nënkupronte edhe ndarjen paraprake të posteve. E kjo vetëm se do të ishte hedhje e benzinës në zjarrë.
Këto dilema nuk zgjidhen me rezultatet zgjedhore paraprake, me përvojë në skenën politike dhe institucionale, me shkollën e mbaruar të akterëve pretendues, me preferenacat e Prishtinës e të Tiranës, etj.
Në fund të fundit, secili hyn në garë duke pretenduar se do të korrë fitore. Secili i ka në mendje “pazaret” e veta e të subjektit që përfaqëson.
Për ate në këto nivele zgjedhjesh asnjëherë s’ka fitore paraprake. Mund të ketë favorit, por fitues të sigurt assesi.
Madje, historia elektorale e Bujanocit na ka mësuar se nga mandati në mandat mund të ketë përmbysje. Këto gjëra nuk përjashtohen edhe në të ardhmen. E këta që bazohen tek historia mund edhe të gabojnë, sepse ajo shpesh është për tu ndryshuar.
Janë gjëra që mbeten të shihen por të shtrojmë pak çështjen e unifikimit dhe ndaj kujt do ta përdormi?
Ta zëmë se shqiptarët do të garojnë me katër lista zgjedhore ndërsa serbët dhe romët me nga një.
Në variantin më të keq, shqiptarët do të kishin 24 mandate, psh, sipas listave 7, 6, 6, 5, serbët e unifikuar 14, romët e bashkuar 3.
Në këtë rast, parti e parë nga zgjedhjet do të dilte lista e serbëve të unifikuar, psh, SNS. Por me këtë raport forcash nuk do të arrinte shumicën e nevojshme për qeverisje, e që në rastin e Bujanocit duhet të paktën 21 këshilltarë nga gjithsejt 41.
Nga kjo analizë shihet se për shqiptarët nuk ka rrezik pjesëmarrja në zgjedhje me shumë lista dhe me automatizëm dalim tek propozimi tjetër i kreut të KKSH-së, Lutfiu, për koalicionet paszgjedhore dhe atë që, ai e quajti ruajtje e shumicës shqiptare.
Pas procesit elektoral, natyrisht se gjërat do të jenë shumë më të qarta.
Në bllokun politik shqiptarë medoemos do të ketë një fitues dhe, sipas një rregulli të pashkruar, atij do t’i takojë, të paktën moralisht, iniciativa për formimin e shumicës qeverisëse lokale.
Këtu pastaj vie në konsideratë ruajtja e shumicës së shumpërfolur.
Besoj se në parim të gjitha subjektet shqiptare e përkrahin këtë por këtu duhet ndalur dhe parë sinqeritetin.
A do të jetë një shumicë që me kalimin e kohës vepron sipas parimit “kush kujt po ia vë” apo vërtetë do të jetë dobiprurëse.
Përvoja e deritanishme nuk ishte e kënaqshme. Koalicioni aktual më tepër ishte qeverisje e rehatisë se sa e zhvillimit.
Një koalicion ku flitet vetëm për pozita e pozicione, ku gjithçka ndahet me kalkulator, Bujanocit as që i duhet më, sidomos jo shqiptarëve.
Shqiptarëve nuk i duhet as koalicion me SNS-in, të paktën jo pa kushte dhe lidhshmëri me nivelet tjera të pushtetit. Kjo nuk ka të bëjë aspak me serbët lokal por me raportet e shtetit ndaj shqiptarëve.
Kur kemi dilemat midis koalicionit gjithshqiptarë dhe koalicionit shumetnik, kuptohet se duhet zgjedhur atë që është më e mira, ose të paktën më e padëmshmja.
Besoj se iniciativat, si kjo e kryetarit Lutfiu, sidomos pas zgjedhjeve do të shtohen. Por, një gjë është e sigurt, katët vjetët e ardhshme për Bujanocin janë “të jemi apo të mos jemi”. Kjo nuk ka të bëjë ndoshta shumë me aspektet kombëtare se sa ato shoqërore. Më nuk ka kohë për eksperimente.
COMMENTS