Edhepse përfaqësuesit politik të serbëve të Bujanocit kishin paralajmëruar se të unifikuar mund të garojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale, me gjas
Edhepse përfaqësuesit politik të serbëve të Bujanocit kishin paralajmëruar se të unifikuar mund të garojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale, me gjasë janë shumë larg një qëllimi të tillë.
Pas disa takimeve, në sipërfaqe dolën ndasitë që i kanë mes vete, andaj tani ka zëra se zgjedhjeve lokale mund t’i qasen në katër kolona.
Flitet se dy rivalët e dikurshëm, Nenad Mitroviq dhe Stojança Arsiq, mund ta udhëheqin listën rreth SNS-it me përkrahje edhe të Miodrag Miljkoviqit.
Që në fillim, bisedimet për unifikim i kishte bojkotuar Sasha Arsiq nga Partia Popullore i cili në asnjë mënyrë nuk e dëshiron bashkëpunimin me progresistët. Kështu që ai me një grup tjetër parashihet të krijojë listë më vete.
Mjeku me profesion, Dejan Stojanoviq, ka paralajmëruar krijimin e një liste të pavarur për pjesëmarrje në zgjedhje, kurse Goran Tashkoviq (DS) dhe Nenad Tasiq (SPO) këto ditë u deklaruan se do të garojnë me një listë tjetër.
Por, ku qëndron problemi që serbët e Bujanocit të garojnë me kaq shumë lista?
Emëruesi i përbashkët i ndasive mund të jetë fjala interes.
Shumica e atyre që nuk dëshirojnë bashkëpunim me SNS-in pothuaj se e kanë të qartë faktin se çdo pjesëmarje e përbashkët në zgjedhje do të thotë edhe një mandat opozitar i garantuar.
Të vetëdijshëm se një listë e unifikuar serbe nuk mund ta kalojë numrin 15 të mandateve në kuvendin komunal, ata llogarisin në përçarjen eventuale të skenës politike shqiptare në mënyrë që në njërin nga variantet të bëhen pjesë e pushtetit.
Llogaritë e tyre mund të jenë të bazuara në faktin se asnjë bllok politik shqiptar mund të mos e dëshirojë SNS-in në koalicion pa ndonjë marrëveshje në nivel shteti për inkuadrimin e shqiptarëve në institucione publike, kështu që ky do të jetë një rast që duhet shfrytëzuar.
Në praktikë, një qasje e këtillë e disa përfaqësuesve politik serbë edhe mund të jetë e realizueshme.
Do të ishte për habi që 5 grupime politike shqiptare të krijojnë një koalicion të përbashkët për një qeverisje katër vjeçare. Andaj, mund të ishte ndoshta e pranueshme që dy apo tre lista zgjedhore shqiptare të bashkoheshin me një ose dy lista „të pavarura“ serbe për të qeverisur Bujanocin.
Megjithatë, është shumë larg vlerësimit forca reale e grupimeve politike serbe me përjashtim të SNS-it.
Ato edhe mund të garojnë ndaras, por mund të mos e kalojnë censusin e nevojshëm dhe të mbesin „me gishta në gojë“.
Në këtë rast, numri i këshilltarëve shqiptarë do të rritej si kurrë më parë.
Marrë parasysh këto ndasi të serbëve lokal, me gjasë edhe strukturat qendrore të SNS-it nuk do të merren seriozisht me përfaqësuesit e tyre.
Partia më e madhe në vend me siguri e ka të qartë se pushteti lokal i Bujanocit do të jetë i pa diskutueshëm në duart e shqiptarëve. Udhëheqësia qendrore e progresistëve është në dijeni për vlerat e politikanëve lokal serbë të kësaj komune dhe në njëfar mënyre mund t’i konsiderojë të pallogaritshëm.
Sido që të jetë, në fund të kësaj pranvere pritet një garë interesante politike në Bujanoc. Por kjo nuk do të thotë se në qeverisje me pushtetin mund të ketë ndryshime radikale. Të paktën jo në nivelin etnik çfarë mund të pretendojnë politikanët e „ pavarur“ serbë.
COMMENTS